Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" shpërtheu në përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve
Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u shoqëruan me përplasje të ashpra mes demonstruesve dhe forcave të policisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" u kthye të shtunën në skenën e përplasjeve të dhunshme mes protestuesve kundër qeverisë dhe forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe autobotë me ujë për të shpërndarë demonstruesit, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta.
Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u shoqëruan të shtunën, më 17 tetor, me përplasje të ashpra mes demonstruesve dhe forcave të policisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, duke shënuar ditën e pestë radhazi të trazirave në kryeqytet.
Rrugët përreth institucioneve qeveritare u mbuluan nga gazi lotsjellës, ndërsa forcat e policisë, të pajisura me skafandra, mburoja dhe mjete të tjera mbrojtëse, u përballën me protestues që hodhën gurë dhe sende të forta.
Policia përdori gjithashtu autobotë me topa uji, plumba gome për të shpërndarë turmën. Në disa zona shpërthyen flakë, ndërsa gurët e kalldrëmit të shkulur nga rruga mbuluan bulevardin.
Fotografitë e realizuara nga fotoreporteri i BIRN, Xhemali Moku, dokumentojnë disa nga momentet më të tensionuara të përleshjeve, përdorimin e forcës nga policia dhe kaosin që përfshiu qendrën e Tiranës.
Protestat, të nisura nga të rinjtë dhe studentët me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, janë përhapur gjatë javës në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa përshkallëzimi i dhunës ka ngritur shqetësime për sigurinë publike dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor.