Zv.ministrja e Brendshme: Mbani fëmijët dhe adoleshentët larg përplasjeve të dhunshme
Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, ka deklaruar se fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbahen larg përplasjeve të dhunshme dhe situatave që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, në një deklaratë për mediat mesditën e së dielës, iu drejtua prindërve dhe qytetarëve që fëmijët dhe adoleshentët të mbahen larg përplasjeve të dhunshme dhe situatave që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Ajo deklaroi se standardi që duhet të udhëheqë policinë e shtetit në menaxhimin e protestës duhet të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme.
Ruseti tha se të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës. Ajo shtoi se mbrojtja e jetës dhe sigurisë së çdo fëmije duhet të jetë përparësi dhe se ngjarjet e ditëve të fundit kanë evidentuar rreziqet me pasoja në shëndetin e tyre.
Ajo përmendi se 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor, ndër ta rreth 169 efektivë janë lënduar gjatë protestave të këtyre ditëve dhe 70 protestues e kalimtarë. Ruseti tha se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe përfshin edhe të drejtën e të rinjve për të shprehur mendimin dhe për t’u dëgjuar.
Ajo shtoi se njëkohësisht, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore në çdo vendim dhe veprim që e prek atë. Ky parim kërkon nga të gjithë ne të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ekspozimi ndaj rrezikut. Ruseti tha se standardet evropiane kërkojnë që menaxhimi i protestave të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme.
Ajo tha se veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm dhe as vendosjen e përgjegjësisë kolektive. Ruseti tha se Policia e Shtetit ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe distancimin nga personat që ushtrojnë dhunë. Ajo shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës të shqyrtohet në mënyrë të paanshme.
Ruseti tha se prindërit dhe kujdestarët duhet të dinë ku ndodhen fëmijët e tyre dhe çfarë përmbajtjesh ose thirrjesh marrin në rrjetet sociale. Ajo këshilloi që në rast tensioni, të largohen menjëherë drejt një vendi të sigurt. Ajo shtoi se prania pranë përplasjeve mund t’i ekspozojë ndaj lëndimit edhe pa marrë pjesë në incidente.
Ruseti tha se përgjegjësia jonë përfshin edhe vëmendjen ndaj pasojave që dhuna mund të shkaktojë në zhvillimin e fëmijëve. Ajo shtoi se përjetimi ose dëshmimi i saj mund të sjellë frikë, pasiguri dhe pasoja psikologjike afatgjata.
Ajo tha se normalizimi i dhunës mund të krijojë bindjen se konfliktet zgjidhen përmes forcës dhe se dëmtimi i të tjerëve është mënyrë e pranueshme për të kërkuar të drejta. Ruseti shtoi se fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbështeten që të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari duke respektuar jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Ajo tha se besimi i tyre te Policia e Shtetit, si institucioni ku mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje, është i rëndësishëm. Ruseti shtoi se paraqitja e policisë si kundërshtare e të rinjve, si dhe çdo sjellje e paligjshme ndaj punonjësve të policisë, e dëmton këtë besim.
Ruseti tha se ruajtja dhe forcimi i tij kërkojnë profesionalizëm, trajtim të barabartë, transparencë dhe përgjegjësi për çdo shkelje. Ajo bëri thirrje organizatorëve, përfaqësuesve politikë, mediave dhe çdo të rrituri që ushtron ndikim te fëmijët të kontribuojnë në mbrojtjen e tyre, duke shmangur nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës.