Studentët protestojnë për shtatë ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit
Studentët protestojnë për shtatë ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Njëri prej tyre grisi certifikatën e Olimpiadës së Historisë.

Ka nisur grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, në ditën e shtatë të protestës së studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë. Edhe këtë të diel, të rinjtë janë mbledhur pranë institucionit, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Një prej pjesëmarrësve, në shenjë revolte, grisi certifikatën e marrë si fitues i Olimpiadës së Historisë. Përpara këtij veprimi, i riu u bëri thirrje protestuesve të mos ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të Policisë, ndërsa u kërkoi edhe këtyre të fundit të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve.