Aktualitet

Sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë gjatë sulmeve ndaj Policisë

4 min leximPublikuar më

Burimi: Top Channel ·

Sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë gjatë sulmeve ndaj Policisë, dy bomba Molotov dhe doza kanabisi, si dhe vida, sfera metalike dhe prova të tjera materiale, të cilat janë përdorur nga personat e maskuar dhe të dhunshëm gjatë sulmeve ndaj punonjësve të Policisë.

Foto nga burimi: Deklarata zyrtare e Policisë: Sekuestruam një karikator me fishekë luftarakë, përdorej nga persona të maskuar në protestë

Gjatë deklaratës për publikun, Shefi i Sektorit të Menaxhimit në Departamentin e Sigurisë Publike, bëri me dije se dje është sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë. Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov dhe doza kanabisi, si dhe vida, sfera metalike dhe prova të tjera materiale, të cilat janë përdorur nga personat e maskuar dhe të dhunshëm gjatë sulmeve ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit prej 6 ditësh po përballet me sulme të pandërprera, për orë të gjata, nga grupe personash të maskuar, të cilët kanë dhunuar punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, pllaka guri, sfera metalike, vida, sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.

Krahas sulmeve ndaj Policisë, këto grupe kanë sulmuar dhe dëmtuar institucione shtetërore, institucione të drejtësisë, institucione bankare, pronë publike dhe private. Njëkohësisht, çdo ditë vijojnë thirrjet, nëpërmjet grupeve të hapura, në platformat online dhe rrjetet sociale, për vrasjen e punonjësve të Policisë dhe djegien e automjeteve të Policisë.

Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka ardhur një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte elementë të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri në momentin e sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.

Ligji për tubimet parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në tubim me veshje ose sende të tjera, si maska, shall dhe veshje të tjera, me qëllim fshehjen e identitetit. Në rastet kur gjatë tubimeve evidentohen persona që fshehin identitetin në kundërshtim me ligjin dhe ushtrojnë dhunë, Policia e Shtetit vepron në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore përkatëse, duke ndërhyrë për shpërndarjen e tubimit kur plotësohen kushtet ligjore.

Theksojmë se grupet e maskuara dhe të dhunshme janë shpërndarë në disa rrugë të Tiranës, duke djegur pronë publike dhe private, si dhe duke shkatërruar sinjalistikën rrugore. Njëkohësisht, i kanë vënë zjarrin hyrjes së godinës së Gjykatës së Lartë.

Pavarësisht sulmeve të pandërprera, strukturat e Policisë kanë vijuar detyrën dhe kanë shoqëruar 54 shtetas në Tiranë, nga të cilët 27 janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht, pasi janë përfshirë në akte dhune, shkatërrim të pronës dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.

Ndërkohë, veprime janë kryer edhe në Shkodër e Vlorë, ku janë proceduar penalisht 19 persona për veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të djeshme në këto dy qytete. Gjatë ditës së djeshme, nga sulmet ndaj punonjësve të Policisë në Tiranë janë plagosur 37 punonjës policie.

Policia e Shtetit u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në protesta, pasi jeta e tyre është e rrezikuar. Policia e Shtetit është në mbështetje të së drejtës kushtetuese për të protestuar dhe për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Ushtroni të drejtën tuaj për të protestuar, por distancohuni menjëherë nga elementët e dhunshëm, të cilët po rrezikojnë jetën e punonjësve të Policisë dhe të pjesëmarrësve të qetë në tubim, si dhe po shkatërrojnë pronën publike e private.

Të gjithë këta individë, pavarësisht mbulimit të fytyrës, po identifikohen nëpërmjet këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore që po kryhen në funksion të dokumentimit ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Së fundmi dua të sqaroj opinion publik se lajmet e publikuara se kanë ardhur oficerë nga policitë partnere për të menaxhuar tubimin, janë tërësisht të pavërteta. Përhapja e këtyre lajmeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit është e vendosur të mbrojë rendin kushtetues, sigurinë e qytetarëve dhe pronën publike e private.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.