Përplasje të forta në Shqipëri: Studentët nuk tërhiqen, policia avancon me autobotë me ujë për të shpërndarë turmën
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë zhvendosur para Kryeministrisë, ku situata vijon të jetë e tensionuar në ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë zhvendosur para Kryeministrisë, ku situata vijon të jetë e tensionuar në ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë. Studentët dhe gjimnazistët, pjesë e protestuesve, kanë hedhur një breshëri gurësh në drejtim të efektivëve të policisë dhe autobotëve me ujë, të vendosur në bulevardin "Deshmorët e Kombit".
Në zonën e protestës ndodhen forca të shumta policore, përfshirë efektivë të RENEA-s dhe të repartit "Shqiponja", ndërsa autobotët me ujë po avancojnë në drejtim të protestuesve, në përpjekje për të shpërndarë turmën. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit po vijojnë të qëndrojnë në bulevard, ndërsa përplasjet mes palëve nuk janë ndalur.
Më herët gjatë ditës, incidente të dhunshme u regjistruan edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku pati arrestime, si dhe te selia e Partisë Socialiste, ku protestuesit thyen xhamat e godinës. Në ditën e gjashtë të revoltës, demonstruesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë deklaroi më herët gjatë ditës se është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi si kurthin e dhunës. Situata para Kryeministrisë mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë dhe protestuesit vijojnë të përballen në bulevardin "Deshmorët e Kombit".