Sulmi i paprecedentë ndaj Komisariatit të Policisë në Tiranë
Sulmi i paprecedentë ndaj Komisariatit të Policisë në Tiranë, ku 10 punonjës të Policisë mbetën të plagosur, është një shembull i dhunës dhe të rrezikimit të jetës së punonjësve të Policisë dhe të personave të shoqëruar.

Në orët e mbrëmjes, Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë u bë objekt i një sulmi të rëndë dhe të paprecedentë nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të Policisë. Sulmi krijoi një rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të Komisariatit.
Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë, por dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Dhuna ndaj punonjësve të Policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të tolerohen.
Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë. Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.
U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato. Çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji.