Berisha i 'jep ushqim' Ramës të sulmojë protestën, momenti i përplasjes te selia e PD
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka nisur si një lëvizje studentore, por pjesëmarrja e militantëve të Partisë Demokratike dhe përfshirja e më e dukshme e përfaqësuesve të opozitës krijojnë hapesirë që mazhoranca ta paraqesë atë si një aksion të organizuar politikisht.

Pamjet e reja tregojnë një numër të madh protestuesish që hyjnë në oborrin e Partisë Demokratike, përpara se policia të ndërhyjë me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës. Ndërsa Berisha akuzon Ramën për një skenar kundër opozitës, përfshirja e militantëve demokratë në protestën e nisur nga studentët rrezikon t'i japë qeverisë argumente për ta paraqitur revoltën si një përplasje partiake.
Janë publikuar pamjet e përplasjes së mbrëmjes së diel përpara selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, ku një numër i madh protestuesish hyrën në oborrin e godinës gjatë ndjekjes nga forcat e policisë. Në fillim të pamjeve duken demonstruesit që futen në ambientet e jashtme të selisë së opozitës. Pak çaste më vonë, një automjet ujëhedhës i policisë drejton ujë me presion ndaj tyre, duke i detyruar të vrapojnë drejt hyrjes së godinës.
Ndërhyrja vijon me hedhjen e gazit lotsjellës në oborrin e Partisë Demokratike. Gjatë incidentit, policia shoqëroi disa persona dhe vendosi një kordon te porta e jashtme, ndërsa nga godina dolën deputetë demokratë. Në vendngjarje mbërriti edhe një ambulancë.
Ngjarja ka marrë një dimension politik, përtej përplasjes mes protestuesve dhe efektivëve. Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka nisur si një lëvizje studentore, por pjesëmarrja e militantëve të Partisë Demokratike dhe përfshirja gjithnjë e më e dukshme e përfaqësuesve të opozitës krijojnë hapesirë që mazhoranca ta paraqesë atë si një aksion të organizuar politikisht.
Kjo është një pikë delikate për vetë protestën. Nëse studentët kanë dalë në rrugë me kërkesa kundër qeverisë, prania e militantëve partiakë mund ta zhvendosë debatin publik nga arsyet e pakënaqësisë së tyre te rivaliteti mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar Ramën se kishte përgatitur një skenar për të nxituar sulme ndaj selive të dy partive kryesore politike. Sipas tij, ndërhyrja e policisë në oborrin e selisë demokratike ishte një veprim hakmarrës, pasi ky skenar kishte dështuar.
"Nuk ka pasur asnjë tentativë nga asnjë protestues që të kryejë demin më të vogël ndaj kësaj partie. Paralajmëroj Edi Ramën se do të mbahen personalisht përgjegjës si manipulatorë të shpifur që bëjnë gjithçka brenda protestës kundër protestës", deklaroi Berisha.
Megjithatë, daljet e vazhdueshme publike të Berishës dhe përfshirja e strukturave e militantëve demokratë në zhvillimet e protestës i japin Partisë Socialiste mundësinë të argumentojë se pas demonstratave studentore qëndron opozita. Kjo nuk provon se PD-ja e organizon apo e kontrollon protestën, por krijon një problem për ruajtjen e profilit të saj studentor.
Media që s’e dorëzon pavarësine e saj, i paraprine një qeverisje te ndershme. Pamfleti është një platformë mediatike analitike që u “lind” si domosdoshmëri e një tribune pa kompromis, si një zë i fuqishëm në luftën pa ekuivok ndaj krimit dhe korrupsionit politik në Shqipëri.