Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorëve: Gjobat maksimale ndaj bizneseve rriten në 600 mijë lekë
Projektligji i propozuar nga qeveria shqiptare për mbrojtjen e konsumatorit parashikon një rritje të ndjeshme të gjobave ndaj bizneseve. Gjoba maksimale e parashikuar rritet në 600 mijë lekë, nga 100 mijë lekë që është vlera e lartë në ligjin aktual.

Projektligji i propozuar nga qeveria shqiptare për mbrojtjen e konsumatorit parashikon një rritje të ndjeshme të gjobave ndaj bizneseve. Gjoba maksimale e parashikuar rritet në 600 mijë lekë, nga 100 mijë lekë që është vlera e lartë në ligjin aktual.
Sipas projektligjit, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK) mund të vendosë gjobe administrative, nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë për shkeljet e dispozitave, lidhur me praktikat e padrejta tregtare, publicitetin çorientues dhe krahasues, kushtet e padrejta në kontrata ose shkeljen e të drejtave të konsumatorëve.
Praktika tregtare vlerësohet si e padrejtë kur është në kundërshtim me kërkesat e përkujdesjes profesionale dhe deformon ose ka gjasa të deformojë materialisht sjelljen ekonomike, në lidhje me produktin, të konsumatorit mesatar, të cilin i drejtohet ose që ndikohet prej saj, ose të anëtarit mesatar të grupit, kur praktika tregtare u drejtohet një grupi të caktuar konsumatorësh.
Në vlerësimin e një praktike tregtare si të padrejtë do të cilësohen si rrethana rendësuese rastet kur praktika çorientuese ose agresive e shitjes ose e marketingut është kryer gjatë një vizite të tregtarit në banesën e konsumatorit, pa kërkesën e shprehur të këtij të fundit, ose gjatë një ekskursioni të organizuar nga tregtari me qëllim ose efekt promovimin apo shitjen e produkteve të konsumatorit.
Praktika tregtare agresive, mes të tjerash, do të konsiderohet rasti i krijimit të përshtypjes së rreme se konsumatori ka fituar, do të fitojë ose nëse kryen një veprim të caktuar do të fitojë një çmim apo përfitim tjetër të njëvlershem, kur në fakt nuk ka asnjë çmim apo përfitim tjetër të njëvlershem.
Gjithmonë sipas përkufigimit të ligjit, publiciteti çorientues është çdo publicitet, që, në çdo mënyrë, përfshinë dhe paraqitjen e tij, mashtron ose ka mundësi të mashtrojë personat, të cilëve u adresohet ose të cilët i prek dhe që, për shkak të natyrës mashtruese, ndikon ose ka mundësi të ndikojë në interesat dhe sjelljen ekonomike të konsumatorit dhe, për këto arsye, demton ose ka mundësi të demtojë një konkurrent.
Shembuj mund të jenë pretendimi se një tregtar do të ndërpresë tregtimin apo do të ndërrojë mjedisin e punës, kur ai nuk do ta bëjë një gjë të tillë; pretendimi se produktet kanë aftësi të lehtësojnë fitimin në lojërat e fatit; pretendimi i rremë se një produkt ka aftësi të kurojë sëmundje, mosfunksionim apo deformim të organave; përçimi i informacionit materialisht të pasaktë për kushtet e tregut ose për mundësitë e gjetjes së produktit, me synimin e nxiti konsumatorin të blejë produktin në kushte më pak të favorshme se kushtet normale të tregut; përshkrimi i një produkti si “gratis”, “falas”, “pa pagesë” ose në një mënyrë të ngjashme, kur konsumatorit i duhet të paguajë sadopak përmbi koston e paevitueshme të përgjigjes ndaj praktikës tregtare, si dhe pagesës për dërgesën apo marrjen e artikullit.
Kushte të padrejta në kontrata, mes të tjerash, do të konsiderohen rastet kur ato autorizojnë tregtarin të zgjidhë kontratën, kur një lehtësi e tillë nuk i është dhënë konsumatorit; kur i lejojnë tregtarit të mbajë shumë e paguar për shërbimet ende të pafurnizuara nga ai, në rast se kontrata zgjidhet nga vetë tregtari; kur i mundësojnë tregtarit të zgjidhë kontratën pa afat, pa njoftim të arsyeshëm, me përjashtim kur ka bazë të rëndësishme për ta bërë këtë; kur tregtarët zgjasin automatikisht një kontratë, që ka një afat kohor të caktuar, kur konsumatori nuk është shprehur ndryshe, kur afati i fundit kohor, që i lihet konsumatorit për të shprehur dëshirën për moszgjatje të kontratës, është i paarsyeshëm; kur i mundësojnë tregtarit të ndryshojë kushtet e kontratës në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme, që specifikohet në kontratë; kur i mundësojnë tregtarit të ndryshojë, në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme, çdo karakteristikë të mallit ose shërbimit.