Tensionet në tribunat e Bernabeut: "Tebas, jep dorëheqjen!" dhe "Negreira vazhdon të gjykojë!"
Tifozët e Real Madridit kanë shprehur zemërimin e tyre në tribunat e stadiumit Santiago Bernabeu, duke thirrur për dorëheqjen e presidentit të LaLigës, Javier Tebas, dhe presidentit të Barcelonës, Joan Laporta. Protestat kanë filluar pas deklaratës së Tebasit në rrjetet sociale, ku ai krahasoi strategjinë e komunikimit të Real Madrid TV me metodat e propagandës naziste të Joseph Goebbels.

Tensionet mes Real Madridit dhe drejtuesve të futbollit spanjoll u zhvendosën edhe në tribunat e Santiago Bernabeut. Për rreth gjashtë minuta, tifozët madrilenë lexuan thirrje kundër presidentit të LaLigës, Javier Tebas, Federatës Spanjolle të Futbollit dhe presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, duke rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen Negreira.
“Tebas, jep dorëheqjen!” “Larg duart e Tebasit nga Madridi!” “Laporta vazhdon të paguajë!” “Negreira vazhdon të gjykojë!” dhe “Korrupsion në Federatë!” ishin disa prej sloganeve të dëgjuara në stadium. Në tribunën jugore u shfaq gjithashtu një banderolë me mbishkrimin: “Nuk është futboll, janë Tebas dhe Negreira”, ku emrat e tyre ishin paraqitur me ngjyrat e Barcelonës.
Protesta e tifozëve erdhi në një moment kur përplasja mes Real Madridit dhe Javier Tebas ishte ashpërseruar ndjeshëm. Shkak u bë një reagim i presidentit të LaLigës në rrjetet sociale, ku ai krahasoi strategjinë e komunikimit të Real Madrid TV me metodat e propagandës naziste të Joseph Goebbels.
Deklarata shkaktoi zemërimin e klubit madrilen, i cili reagoi përmes një komunikate zyrtare, duke i cilësuar komentet e Tebas si “absolutisht të patolerueshme dhe jashtëzakonisht serioze”. Real Madridi kërkoi gjithashtu dorëheqjen e tij nga posti i presidentit të LaLigës dhe ai i zëvendës presidentit të Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit.
Tebas iu përgjigj kërkesës për largim, duke e cilësuar qëndrimin e klubit madrilen si një përpjekje për frikësim. Përplasja mori përmasa më të gjera kur në debat u përfshi edhe Këshilli i Lartë i Sportit në Spanjë (CSD), i cili, sipas raportimeve të agjencisë EFE, po shqyronte mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve lidhur me deklaratat e kreut të LaLigës.
Në këtë debat ndërhyri edhe emra të njohur të futbollit. José Mourinho doli në mbrojtje të Real Madridit, duke kritikuar qëndrimin e Tebas dhe duke theksuar se tifozët madrilenë e kuptojnë situatën me të cilën po përballon klubi i tyre.
Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, mbështeti Tebas, duke deklaruar se ai është mësuar me përballjet të tillë dhe nuk frikësohet nga qëndrimi i Real Madridit, të cilin e akuzoi se kërkon të shkatërrojë gjithçka.
Në këtë klimë të tensionuar, tifozët e Real Madridit e shndërruan Bernabeun në një tribunë proteste, duke e bërë të qartë pakënaqësinë e tyre ndaj drejtuesve të futbollit spanjoll. Çështja Negreira, që prej kohësh ka shkaktuar polemikë në Spanjë, u rikthye kështu në qendër të përplasjes mes dy prej kampeve më të fuqishme të futbollit iberik.