Rama: Nuk është rastësi që ideologu i Putinit përshëndet protestat e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj mbështetjes së shprehur nga Aleksandër Dugin, i konsideruar si ideolog i presidentit rus Vladimir Putin, për protestat në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj mbështetjes së shprehur nga Aleksandër Dugin, i konsideruar si ideolog i presidentit rus Vladimir Putin, për protestat në Shqipëri. Rama e cilësoi këtë mbështetje si jo të rastësishme, duke shtuar se Rusisë se nuk i intereson integrimi europian dhe zhvillimi i Shqipërisë.
“Armiqtë e Shqipërisë, dashakeqësit e Shqipërisë. Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet, si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris, të jetë universiteti i një studenti europian me pasaportën europiane. Rusia nuk i do të gjitha këta dhe nuk është aspak rastësi që babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian”, tha Rama.