OpenAI ofron 5 milionë dollarë për të zbutur kritikat për ChatGPT
Pas revoltës së matematikanëve, OpenAI ka njoftuar se do të dhurojë 5 milionë dollarë për një fondacion që mbështet kërkimet në matematikë.

Kompania që krijoi ChatGPT është përballuar me akuza për plagjiaturë dhe shpërfillje të rregullave të kërkimit shkencor, pasi njoftoi se inteligjenca artificiale kishte zgjidhur probleme matematike që prej dekadash mbeteshin pa përgjigje.
Pas reagimeve të forta në komunitetin e matematikanëve, OpenAI ka njoftuar se do të dhurojë 5 milionë dollarë për një fondacion që mbështet kërkimet në matematikë. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi Shoqata për Matematikën Njerëzore (Association for Human Mathematics – AHM) ka kritikuar ashpër kompaninë e inteligjencës artificiale dhe ngriti akuza për plagjiaturë lidhur me zgjidhjen e një problemi matematikor që kishte mbetur i pazgjidhur për dekadash.
Në shtator, OpenAI njoftoi se një model i inteligjencës artificiale, ende i papublikuar, kishte arritur një rezultat të rendësishëm lidhur me ekuacionet Navier–Stokes. Këto ekuacione përshkruajnë lëvizjen e lehtëve dhe gazeve duke zbatuar ligjin e dytë të Njutonit dhe lidhen me disa prej sfidave më të vështira të matematikës.
Megjithatë, sipas TechCrunch, dy matematikanë pretendonin se kishin qenë shumë pranë një rezultati të ngjashëm dhe kanë ngritur pyetje nëse puna e OpenAI ishte mbështetur në kërkimet e tyre.
OpenAI mohon të ketë pasur dijeni për punën e tyre shkencore.
Njëri prej matematikanëve, Levent Alpöge, punon në kompaninë rivale Anthropic, ndërsa kërkimin në fjalë e zhvillonte në mënyrë të pavarur.
Më 6 tetor, kompania e drejtuar nga Sam Altman deklaroi se modeli i saj kishte prodhuar mbi 700 dorëshkrime shkencore dhe pothuajse 400 rezultate matematikore.
Sipas OpenAI, këto rezultate synonin t’u jepnin përgjigje disa prej problemave më të ndërlikuara në matematikë dhe shkencat kompjuterike.
Por njoftimi nuk u prit me entuziazëm nga të gjithë studiuesit.
Shoqata për Matematikën Njerëzore deklaroi se matematikanët nuk kishin kërkuar që kjo punë të kryhej, duke akuzuar OpenAI për shpërfillje të plotë të normave të kërkimit shkencor.
Kritikat lidhen jo vetëm me mënyrën se si inteligjenca artificiale po prodhon rezultate matematikore, por edhe me respektimin e punës së studiuesve, transparencën dhe mënyrën e publikimit të zbulimeve shkencore.
Të enjten, më 15 tetor, OpenAI njoftoi përmes platformës X se do të dhurojë 5 milionë dollarë, rreth 4.5 milionë euro, për Simons Foundation, një organizatë që mbështet kërkimet shkencore, veçanërisht në matematikë.
Qëllimi i financimit është t’u krijojë mundësi matematikanëve t’i shqyrtojnë, kuptojnë dhe zhvillojnë më tej rezultatet e prodhuara nga inteligjenca artificiale.
Në deklaratën e saj, OpenAI theksoi se dëshiron të mbështetë komunitetin e matematikanëve për ta shndërruar përparesën e inteligjencës artificiale në njohuri më të thella njerëzore dhe zbulime të reja.
Financimi do të përdoret për organizimin e seminareve, konferencave dhe programeve të specializuara.
Përveç mbështetjes financiare, OpenAI do të u ofrojë studiuesve të mbështetur nga Simons Foundation akses në modelet e saj të inteligjencës artificiale dhe në burimet kompjuterike të kompanisë.
Nisma do të ketë një vlerë të plotë prej 15 milionë dollarësh, duke kombinuar financimin dhe burimet e ofruara nga Simons Foundation, Anthropic dhe OpenAI.
Synimi është të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi mes studiuesve dhe sistemeve të inteligjencës artificiale, në një periudhë kur teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si zhvillohet kërkimi shkencor.
Megjithatë, mbetet e hapur çështja se si duhet të vlerësohen, verifikohen dhe njihen zbulimet e prodhuara nga inteligjenca artificiale, veçanërisht kur ato prekin fusha ku shkencëtarët kanë investuar vite të tëra kërkimi.