APJ Albania denoncon 21 raste të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJ Albania) ka denoncuar publikisht 21 raste të pengimit, dhunimit apo lëndimit të gazetarëve dhe operatorëve gjatë protestave studentore të nisura më 13 tetor.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJ Albania) ka lëshuar një deklaratë të fortë ku shpreh shqetësim të thellë për kushtet e pasigurisë në të cilat po punojnë mediat gjatë mbulimit të protestave studentore të nisura më 13 tetor.
Sipas evidencave të detajuara nga APJ Albania, punonjësit e medias janë sulmuar dhe penguar në detyrë si nga ana e efektivëve të policisë, ashtu edhe nga protestuesit në terren. APJ Albania u bën thirrje urgjente Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës që të hetojnë këto raste pa vonesë.
Në listën e denoncimeve publike janë përmendur:
* Gazetarët Glidona Daci (Klan News) dhe Klodiana Lala (News24) kanë denoncuar pengim në ushtrimin e detyrës, kufizimin e filmimeve dhe ndërhyrjet e policisë gjatë raportimit të situatës në terren dhe pranë komisariatëve. * Drejtori i emisionit investigativ “Piranjat” (Syri TV), Taulant Kopliku, ka denoncuar se është goditur nga një polic tjetër teksa filmonte protestën tek selia e Partisë Socialiste, i është marrë celulari dhe i janë fshirë pamjet. * Gazetari Elkier Bushkolaj (SYRI TV) ka denoncuar dhunën dhe pengimin fizik nga efektivët e policisë, teksa raportonte drejtpërdrejt. * Gazetari Renaldo Salianji (News24) ka denoncuar pengimin nga persona të maskuar dhe punonjës policie, ndërsa ndiqte shoqërimin e disa të rinjve gjatë protestës. * Pengime në raportim dhe në ushtrimin e detyrës dhe kufizim në filmime nga ana e efektivëve të policisë, janë denoncuar edhe nga gazetaret Enkelejda Mema dhe Alice Taylor (Euronews Albania), Bekim Bici (Ora News) dhe fotoreporteri Felix Bilani (SYRI TV). * Një ekip i Report TV, gazetari Raziela Myslymaj dhe operatori janë përballur me një sulm nga protestues të maskuar, që tentuan dëmtimin e kamerës së televizionit. * Gazetari Doriana Bezat (Top Channel) raportohet gjithashtu se është sulmuar nga protestues gjatë mbulimit të protestës. * Gazetaret Vjolanda Peca (Citizens.al) dhe Fatime Halmusaj (Fax News) janë lënduar nga goditjet me gurë dhe mjete të forta, teksa raportonin në terren mbi zhvillimet e protestës. * Operatori Elvin Kamberi (News24) ka mbetur i lënduar pasi policia hodhi granatë zhurmuese drejt zonës ku ndodheshin punonjës të medias. * Gazetari Anesti Bajramemaj dhe operatori Henri Simota (A2 CNN) janë përballur me pengim dhe dhunë nga efektivët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. * Gazetari Izmir Akulli, kryeredaktor i Dosja.al, është dhunuar nga punonjës policie teksa filmonte me celular zhvillimet e protestës, duke marrë me pas ndihmë mjekësore në spital. * Ekipi i emisionit Piranjat (SYRI TV), gazetari Jonida Mukja dhe operatori Albi Muçollari, ka denoncuar pengimin e raportimit nga policia dhe shoqërimin me forcën e operatorit. * Gazetari Xhoi Malësia (Top News) ka denoncuar se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i kishte drejtuar një granatëhedhës për bombola lotsjellëse.
Përsëritja e këtyre rasteve nga dita në ditë tregon se nuk kemi të bëjmë me incidente të izoluara, por me një fenomen shqetësues, që nuk duhet neglizhuar. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë u bën thirrje Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës, që të verifikojnë pa vonesë të gjitha denoncimet publike, të identifikojnë përgjegjësit e tyre dhe t’i vendosin para ligjit.