Eurodeputetët shprehin shqetësim për dhunën në protesta dhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehën të hënën shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ata dënuan përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Deklarata e tyre vjen pas gjashtë ditësh protestash të njëpasnjëshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, gjatë të cilave mijëra të rinj kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe arrestime të shumta, ndërsa janë raportuar gjithashtu dëmtime të institucioneve, bizneseve dhe pronës private.
Eurodeputetët theksuan se liria e tubimit paqësor dhe e shprehjes janë të drejta themelore, të mbrojtura nga Karta e të Drejtave Themelore e Bashkimit Europian dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ata u kërkuan autoriteteve shqiptare të garantojnë ushtrimin e lirë të së drejtës së tubimit dhe protestës paqësore, ndërsa bënë thirrje për një dialog konstruktiv dhe të sinqertë mes të gjitha palëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që adreson pakënaqësitë e shprehura nga protestuesit.
Tarquinio dhe Schieder e lidhën respektimin e shtetit të së drejtës me perspektivën europiane të Shqipërisë. “Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriteri themelor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, përfundon deklarata.