Marjana Koçeku letër të hapur ambasadave: Dënoni dhunën kundër studentëve, po dhunohen në mënyrë makabre, civilët
Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve dhe ndërhyrjet e personave pa identifikim policor.

Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve dhe ndërhyrjet e personave pa identifikim policor. Letra, e datës 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate. Ajo kërkon sqarimin e identitetit të personave me veshje civile, kompetencave të tyre, bazës ligjore të ndërhyrjeve dhe zinxhirit të komandimit.
Koçeku ngre gjithashtu pikëpyetje për planifikimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e operacioneve policore, duke kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm te veprimet individuale të efektivëve, por të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve.
Përmes gjashtë kërkesave konkrete, deputetja u bën thirrje përfaqësive ndërkombëtare të dënojnë publikisht dhunën policore, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme, të mbrojnë të drejtat e të miturve të ndaluar dhe t’i ngrenë këto shqetësime pranë qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike.
Ajo kërkon gjithashtu ndjekjen e rezultateve të hetimeve dhe monitorimin ndërkombëtar të respektimit të të drejtave të njeriut. Në përfundim të letrës, Koçeku thekson se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk mund të ndahet nga respektimi i lirive themelore, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
Sipas deputetes, reagimi institucional ndaj dhunës policore dhe ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të jetë një tregues i rëndësishëm i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve demokratike dhe evropiane.