36 të lënduar nga përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Tiranë
Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë në Tiranë kanë lënë të paktën 36 persona të lënduar.

Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë ditës së diel, 18 tetor, në Tiranë kanë lënë të paktën 36 persona të lënduar, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Nga të lënduarit, 31 persona morën ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa pesë të tjerë u paraqitën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, QSUT. Sipas Ministrisë, mes personave që morën ndihmë në Spitalin e Traumës ishin 21 punonjës policie, pesë protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias, e cila u shtrua në spital. Dy protestues vijojnë të qëndrojnë në Spitalin e Traumës për ekzaminime dhe konsulta mjekësore. Ndërkohë, në QSUT u paraqitën pesë persona të tjerë të lënduar, mes të cilëve dy punonjës policie dhe tre protestues. Ministria bëri të ditur gjithashtu se, që prej nisjes së protestave më 13 tetor, 14 persona vijojnë të marrin trajtim spitalor. Mes tyre janë pesë punonjës policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e tyre është e mirë.