Rama shpërblen policët, ndëshkon studentët dhe akuzon Rusinë, Iranin dhe ANTIFA-n
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar heqjen e bursave dhe të arsimit falas për studentët që dhunojnë policinë, fatura dëmesh për familjet e të miturve dhe pasoja financiare edhe për protestuesit që nuk distancohen nga dhunuesit.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar heqjen e bursave dhe të arsimit falas për studentët që dhunojnë policinë, fatura dëmesh për familjet e të miturve dhe pasoja financiare edhe për protestuesit që nuk distancohen nga dhunuesit. Në të njëjtën kohë, ai premtoi një shpërblim prej 2.500 eurosh për çdo efektiv policie të angazhuar në terren.
Rama i cilësoi përplasjet si pjesë të një skenari kundër Shqipërisë, duke përmendur Rusinë, Iranin dhe lëvizjen ANTIFA, pa paraqitur prova. Ai tha se Rusia dhe Irani kanë përdorur mijëra profile false në rrjetet sociale për të nxitur pakënaqësitë, fillimisht përmes protestave kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se situata “ka kaluar vijën e kuqe”, duke iu referuar sulmit ndaj komisariatit nr. 3 dhe dëmtimeve të efektivëve të policisë. Ai tha se janë 295 të lënduar në këto gjashtë ditët e fundit dhe janë 295 shqiptarë që kanë pësuar dëmtime.
Rama e paraqiti protestën si pjesë të një plani më të gjerë kundër Shqipërisë. Ai tha se protestuesit janë pengje të një fryme të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro! Ktheje të gjithën përmbys, bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.
Ai vuri në pikëpyetje karakterin studentor të protestës dhe tha se protestuesit e dhunshëm nuk mund të paraqiten si zë i një të ardhmeje më të mirë. Ai paralajmëroi gjithashtu se familjet e të miturve që marrin pjesë në akte dhune do të përballen me faturën e dëmeve dhe studentët që dhunojnë policinë do të humbasin bursat, mbështetjen financiare dhe arsimin falas.