303 persona të lënduar në protestë, Ministrja Spahiu në Spitalin e Traumës: Prindërit të komunikojnë me fëmijët, kujdes me lajmet e rreme
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar Spitalin Universitar të Traumës për të shprehur mirënjohjen për ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe personelin shëndetësor për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në përballimin e fluksit të shtuar të të lënduarve gjatë ditëve të fundit.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar Spitalin Universitar të Traumës për të shprehur mirënjohjen për ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe personelin shëndetësor për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në përballimin e fluksit të shtuar të të lënduarve gjatë ditëve të fundit.
Spahiu u bëri thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe profesionistëve që punojnë me ta të komunikojnë me të rinjtë dhe fëmijët dhe të tregojnë kujdes për shqetësimet e tyre. “U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, theksoi ministrja, duke nënvizuar se mbrojtja e të miturve është përgjegjësi e përbashkët.
Ajo bëri të ditur se shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë, duke theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur në situata që rrezikojnë sigurinë e tij.
Lidhur me përhapjen e lajmeve të rreme dhe pamjeve të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit, ministrja Spahiu i ftoi qytetarët të verifikojnë informacionin përpara se ta shpërndajnë dhe t’u referohen burimeve zyrtare, për të shmangur shtimin e frikës dhe tensionit.
Sipas të dhënave të administruara nga strukturat shëndetësore, gjatë protestave të zhvilluara më 13–18 tetor 2026 janë raportuar gjithsej 303 persona të dëmtuar. Nga këta, 190 janë punonjës të Policisë, 87 protestues dhe 26 kalimtarë. Të dhënat përfshijnë raportimet nga Spitali Universitar i Traumës, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalet rajonale të Durrësit, Vlorës dhe Lezhës.