Rama: Bujrum për dialog, ku të doni, kur të doni, pa kushte
Kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale për një deklaratë të nënshkruar nga disa organizata, duke thirrur përfaqësuesit e politikës dhe drejtuesit e shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog.

Kryeministri Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale, këtë herë mbi një deklaratë të nënshkruar nga disa organizata në lidhje me protestën, ku u bëhet thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, si dhe të respektohet e drejta e protestës paqësore.
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty.
E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore.
Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore – nga dhunuesit në krye të protestës!
Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi – nga dhuna dhe manipulimi!
Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit.
Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”, shkruan Rama.
U bëmë thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog. Respektoni të drejtën e protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik.