Pedagogët në krah të studentëve, kërkojnë qeveri kujdestare
Pedagogët shqiptarë kanë dalë në mbështetje të studentëve që protestojnë kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare.

Një grup prej 141 pedagogësh ka lëshuar një deklaratë në mbështetje të studentëve që prej një jave protestojnë kundër qeverisë. Pedagogët dënonin dhunën ndaj studentëve dhe kërkonin forcave të rendit të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm. Ata kanë hartuar edhe një peticion online për të mbështetësve të tyre. Deklarata vjen pas një jave protesta të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe raportime për dhunë ndaj protestuesve. Pedagogët e lidhin kërkesën e tyre me atë që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie kujdestare do të krijonin kushtet për stabilitet institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Pedagogët u bëjnë thirrje forcave të rendit të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të mos zbatojnë urdhra që i konsiderojnë të paligjshëm. Ata paralajmërojnë se përgjegjësia për veprimet e policisë mund të mbetet mbi punonjësit që i zbatojnë, ndërsa pamjet e regjistruara nga qytetarët dhe mediat mund të shërbejnë për dokumentimin e tyre. Pedagogët u drejtohen gjithashtu përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke kërkuar që ato të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, me të njëjtin standard që zbatohet për të drejtat e qytetarëve në vendet që përfaqësojnë. Deklarata përmban edhe një thirrje për vetë protestuesit, të cilëve u kërkohet të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private. Sipas pedagogëve, shmangia e dëmtimit të pronës do t’i hiqte qeverisë mundësinë për ta përdorur atë si justifikim për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës. Pedagogët kujtojnë lëvizjen studentore të vitit 1991 dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës të bashkohen me protestuesit për të parandaluar dhunën ndaj tyre. “Ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh”, thuhet në deklaratë, ku pedagogët ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes për mbrojtjen e studentëve.