Vrasja e dy vëllezërve në Kamëz, sherri dyshohet se nisi për një mur rrethues
Dy vëllezër të vrarë në Kamëz, një vëllai i plagosur dhe një autor i dyshuar i arrestuar, kjo është situata e ngjarjes që shqetëson banorët dhe autoritetet.

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kamëz, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Selam dhe Nazmi Islamaj, ndërsa vëllai tjetër i tyre, Shefqet Islamaj, mbeti i plagosur. Sipas banorëve të zonës, konflikti dyshohet se ka nisur për një mur rrethues që po ndërtohej nga vëllezërit. Banorët bëjnë me dije se në momentin kur në vendngjarje kishte mbërritur një betoniere, autori i dyshuar kishte kundërshtuar hedhjen e betonit. Kjo situatë dyshohet se ka shkaktuar një debat mes palëve, i cili më pas ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit. Ndërkohë, fqinjë të tjerë deklarojnë se mes tyre nuk kishte pasur konflikte të mëparshme. Sipas tyre, ata shpesh shiheshin edhe në shoqërinë e njëri-tjetrit. Në të shtënat me armë mbeti i plagosur edhe Shefqet Islamaj, vëllai i dy viktimave. Autori i dyshuar i ngjarjes është arrestuar nga policia. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.