Akuzat e PD për hyrjen e efektivëve në universitet, reagon policia e Vlorës
Policia e Vlorës ka reaguar pas denoncimit të PD për praninë e forcave të rendit në ambientet universitare.

Policia e Vlorës ka sqaruar se prania e efektivëve në ambientet e universitetit është ardhur pas kërkesës së administratorit të universitetit se një grup personash po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor.
Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit "Ismail Qemali" ka njoftuar Sallen Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30-40 personash, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët t'i ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorët e këtij grupimi.