Mirlind Daku në formë, përfshihet në formacionin e javës
Mirlind Daku është treguar në formë të shkëlqyer në futbollin rus, duke realizuar katër gola në dy paraqitjet e fundit dhe duke u përfshirë në formacionin ideal të javës në Superligën e Rusisë.

Mirlind Daku po kalon një periudhë të shkëlqyer në futbollin rus, ku paraqitjet e fundit i kanë siguruar një vend në formacionin ideal të javës në Superligën e Rusisë. Sulmuesi nga Gjilani ka treguar një formë mbresëlënëse pas ndeshjeve me kombëtaret, duke realizuar plot katër gola në dy paraqitjet e fundit.
Daku shkëlqeu në përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Rubin Kazan, ku arriti të shënojë dy herë. Njëri prej golave erdhi vetëm një minutë pasi u aktivizua nga stoli, ndërsa futbollisti shqiptar zgjodhi të mos festonte, duke treguar respekt për ish-klubin e tij.
Përpara kësaj ndeshjeje, sulmuesi kishte gjetur dy herë rrugën drejt rrjetës edhe në Kupën e Rusisë, duke konfirmuar momentin e tij të shkëlqyer. Paraqitjet e tilla janë vlerësuar edhe nga platforma “SofaScore”, e cila e ka përfshirë Dakun në 11-shen më të mirë të javës në kampionatin rus.