"Edi Rama dhe rruga e përplasjes civile"
Analiza e Armand Shkullakut për politikën e Edi Ramës dhe rrezikun e përplasjes civile në Shqipëri.

Përdorimi i punonjësve të administratës publike si trupa paramilitare për të goditur studentët dhe shpërndarja e parave publike për uniformat që dhunojnë adoleshentët që protestojnë janë shenja të qarta se Edi Rama është i vendosur ta çojë vendin në përplasje civile nga frika e humbjes së pushtetit.
Historia jonë e afërt na ka treguar se kur civilët shndërrohen në banda paramilitare, kur paratë e taksapagueve derdhen për makinerinë represive të dhunës shtetërore, në emër të një njeriu të vetëm, konflikti mes qytetarëve dhe një pushteti të verbër është i pashmangshëm.
Një foto, ku fiksohen fytyrat e punonjësve të një agjensie shtetërore, me dhe pa maska, e që mbajnë në duar shkopinj bejsbolli e shufra hekuri, të cilët paguhen nga taksat e atyre që janë në protestë, e rrëzon gjithë fabulën e “armikut të jashtëm” që na ka halë në sy e synon të na pengojë në rrugën tonë të lavdishme drejt BE.
Shikoni se si e kanë kaluar këtë episod tragjik mediat e Ramës për të kuptuar se po shkohet qorrazi drejt një konflikti që nuk i dihet fundi. Në një shoqëri normale, elita e saj e shikon stabilitetin e vendit të lidhur me rregullat dhe sistemin që e kontrollon individin dhe jo anasjelltas. Individët, edhe kur shkallojnë, shkojnë e vinë. Eshtë sistemi ai që e garanton stabilitetin, janë zgjidhjet politike, rotacionet, paktet, kompromiset.
Elementi i dytë, për të kuptuar se ku po e çon Edi Rama vendin, janë paratë e shpërndara sot për policët që po mbrojnë karriken e tij. Nëse policia shqiptare meriton paga më të larta, shpërblime e trajtime dinjitoze, kjo duhet bërë në mënyrë institucionale dhe jo kur i duhet Edi Ramës.
A ka nevojë edhe në këtë rast për ndonjë agjenturë të huaj për të nxitur urrejtjen mes shqiptarëve? Çfarë mund të mendojë një baba që punon 12 orë në ditë për të rritur fëmijët e tij dhe ata i përfundojnë të rrahur, gjakosur e trajtuar si kafshë nga ata që kryeministri sapo i shpërbleu me nga 2500 euro për kokë? A ka mënyrë më efikase se kjo për të provokuar konfliktin civil?
Në vend të flasin për ca kioska të djegura e xhama të thyera, dëmi i të cilave nuk shkon më shumë se dy vilat e Ballukut në jug, ata që seriozisht duan stabilitetin dhe paqen sociale duhet të bërtasin për shkakun e vërtetë që po e çon vendin drejt një krize të përgjakshme. Çdo veprim i Edi Ramës, nga shpërthimi i revoltës e deri më sot, ka qenë një shishe benzine që i është hedhur zemërimit popullur. Dhe mbajtja me çdo çmim i pushtetit dihet se ku të çon. Prandaj në vend të agjenturave, duarve të zeza e të bardha, gishti duhet të drejtohet nga ai që, qoftë edhe nëse i kanë rënë në qafë me pa të drejtë, duhet të largohet për të shpëtuar diçka më të madhe se karrikia e tij.