Akademikët e diasporës kërkojnë hetim të dhunës policore dhe përgjegjësi politike për krizën
Akademikët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në një deklaratë, kërkojnë hetim të pavarur të përdorimit të forcës nga policia dhe përgjegjësi politike për krizën që ka përfshirë Shqipërinë.

Një grup prej 97 akademikësh dhe studiuesish shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në një deklaratë të datës 18 tetor, shprehën solidaritetin me protestuesit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ata kërkojnë një hetim të pavarur të përdorimit të forcës nga policia dhe përgjegjësi politike për krizën që ka përfshirë vendin. Deklarata paralajmëron se përpjekjet për ta trajtuar revoltën e të rinjve si një problem të rendit publik rrezikojnë të anashkalojnë shkaqet e pakënaqësisë së thellë shoqërore dhe mosbesimin ndaj institucioneve. Akademikët distancohen nga çdo formë dhune, por theksojnë se përshkallëzimi i protestave nuk mund të shkëputet nga pakënaqësitë që i kanë nxitur ato dhe nga mungesa e përgjigjeve të besueshme institucionale. Ata kërkojnë angazhime publike, masa konkrete dhe afate të qarta për adresimin e problemeve të ngritura nga protestuesit. Pjesa e rëndësishme e deklaratës i kushtohet përdorimit të forcës nga policia gjatë protestave. Akademikët kërkojnë një shqyrtim të pavarur dhe transparent të ndërhyrjeve policore, përfshirë vlerësimin e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të forcës, si dhe përgjegjësinë e drejtuesve të policisë. Ata lidhin revoltën e të rinjve edhe me problemet strukturore të sistemit arsimor dhe perspektivën e kufizuar profesionale në Shqipëri. Sipas tyre, nënfinancimi i arsimit dhe kërkimit shkencor, mungesa e meritokracisë dhe ndërhyrjet politike kanë dobësuar besimin e të rinjve se mund të ndërtojnë një të ardhme dinjitoze në vendin e tyre. Akademikët u drejtohen gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve të Bashkimit Europian, Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar të ndjekin nga afër zhvillimet dhe të nxisin respektimin e të drejtave demokratike dhe llogaridhënien institucionale. Ata kujtojnë se i janë drejtuar më parë Komisionit Europian me shqetësime për arsimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë, duke theksuar se situata aktuale kërkon një angazhim që shkon përtej deklaratave të përgjithshme për qetësi. Në përfundim, ata riafirmojnë mbështetjen për kërkesat e protestuesve dhe u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare të garantojnë të drejtën e të rinjve për të kërkuar ndryshim pa frikën e dhunës dhe represionit.