Ministria e Brendshme: Të miturit në protesta, përgjegjësia nis në 14 vjeç
Ministria e Brendshme ka paralajmëruar të miturit që marrin pjesë në protesta se përfshirja në akte dhunë mund të përballohet me përgjegjësi penale që në moshën 14 vjeç.

Ministria e Brendshme ka paralajmëruar të miturit që marrin pjesë në protesta se përfshirja në akte dhunë mund të përballohet me përgjegjësi penale që në moshën 14 vjeç. Paralajmërimi vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave në Tiranë, ku janë shenuar përplasje dhe sulme ndaj institucioneve, përfshirë Gjykatën e Apelit.
Zëvendësministri i Brendshme, Anisa Ruseti, theksoi se e drejta për të protestuar nuk përjashton përgjegjësinë individuale për veprimet e dhunshme. Sipas saj, Kodi Penal percakton se përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç.
“Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese”, deklaroi Ruseti.
Zëvendësministri sqaroi se mosha e mitur nuk përben përjashtim automatik nga ndjekja penale, por çdo rast duhet të vlerësohet mbi bazën e veprimeve konkrete dhe provave, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.
Ajo deklaroi se autoritetet e kanë situaten nën kontroll, pavarësisht akteve të dhunës të regjistruara deri në orët e pasdites, mes tyre edhe sulmi ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Ruseti falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Brendshme për të shoqëruar fëmijët në shkollë, me qëllim shmangien e përfshirjes së tyre në përlasje.
Megjithatë, ajo bëri një dallim mes pjesëmarrjes në protestë dhe përfshirjes në veprime të paligjshme. Sipas zëvendësministres, prania në një tubim nuk e ben asnjënd përgjegjës për veprimet e personave të tjerë, ndërsa përgjegjësia penale lidhet me veprimet individuale.
“Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrja në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, deklaroi Ruseti.
Paralajmërimi i Ministrisë së Brendshme vendos në qendër përgjegjësinë individuale të të miturve për akte të dhunës, duke bërë njëherësisht thirrje që prindërit të bashkëpunohen për të shmangur përfshirjen e fëmijëve në përplasje.