SHBA-ja vazhdon të mbrojë ukrainasit dhe sudanezët me Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-s ka njoftuar se ukrainasit dhe sudanezët që përfitojnë nga Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) do të vazhdojnë të kenë mbrojtjen e tyre në SHBA.

Në një deklaratë, një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha se njoftimet për ukrainasit dhe sudanezët që përfitojnë nga Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) do të bëhen “në kohën e duhur” dhe se mbrojtja e tyre në kuadër të legjislacionit për imigracionin do të mbetet në fuqi.
Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme u mundëson personave që ndodhen tashmë në SHBA të qëndrojnë dhe të punojnë ligjërisht, nëse vendet e tyre të origjinës preken nga fatkeqësi natyrore, konflikte të armatosura apo rrethana të tjera të jashtëzakonshme.
Kjo shtyrje e përkohshme është e dyta brenda dy muajsh për disa emigrantë që përfitojnë nga programi TPS, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë hapa për të debuar shtetas të huaj, si pjesë e një fushate kundër imigracionit. Në shtator, administrata e tij u lejoi përfituesve të TPS-së nga El Salvadori ta mbajnë statusin e mbrojtjes së përkohshme, pasi më herët kishte ndërmarrë hapa për të ua hequr atyre shtetasve të Haitit, Venezuelës, Somalisë, Jemenit, Sirisë dhe vendeve të tjera.
Ky vendim i fundit vjen në një kohë kur presidenti Trump ka vendosur që të mos vendosë sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës, që ka nisur katër vjet më parë, dhe ka hequr sanksione ndaj eksporteve ruse të naftës.
Rreth 240.000 ukrainas që janë larguar nga lufta janë regjistruar për të përfituar statusin TPS në SHBA. Vlerësohet se 6.800 përfitues të TPS-së janë nga Sudani, ku lufta mes ushtarëve dhe një grupi rival paramilitar ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë.