"Të drejtat e qytetit u dhunuan" - Eksperti i sigurisë: Shqipëria e ekspozuar ndaj faktorëve destabilizues
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka deklaruar se të drejtat e qytetit u dhunuan gjatë protestës në Tiranë, duke e konsideruar Shqipërinë si një vend që mund të jetë i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme dhe pranisë së grupeve të ekstremizmit të dhunshëm.

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka komentuar protestën në Tiranë në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, duke deklaruar se gjatë saj u dhunuan të drejtat e qytetit. Ai u ndal edhe te rreziku i ndikimeve të huaja dhe i faktorëve që, sipas tij, mund të synojnë destabilizimin e Shqipërisë.
Softa theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe Shqipëria të jetë e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme dhe pranisë së grupeve të ekstremizmit të dhunshëm. Ai përmendi se influencat e huaja kanë qenë duke tentuar gjithmonë që grupe të ndryshme të ekstremistit të dhunshëm të jenë prezent në vendin tonë.
“Nuk mund të përjashtohet Shqipëria, dhe fakti që është një vend që kërkon stabilitet, por kemi parë qëllime destabilizuese. Jemi një komb që e duam lirinë paqen. Kujtojmë kur nëpërmjet rrjeteve sociale shqiptarë nga Shqipëria apo Kosova, arritën të rekrutoheshin për të shkuar në Siri”, tha Softa.
Në vijim, Softa solli në vëmendje edhe rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptarë për të shkuar në Siri, përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar këtë si një shembull të ndikimit që mund të kenë këto platforma në përhapjen e ekstremizmit.