Përplasje mes policisë dhe protestuesve në Tiranë, kazanët e mbeturinave u vihen flaka në Rrugën e Dibrës
Protestuesit po bllokojnë rrugën me kazanë mbeturinash, ndërsa forcat speciale të policisë po ndjekin një grup protestuesish drejt zonës së Medresesë.

Situata në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat speciale të policisë po ndjekin një grup protestuesish, duke i shtyer drejt zonës së Medresesë, përgjatë Rrugës së Dibrës. Protestuesit po përpiqen të pengojnë avancimin e policisë duke vendosur në rrugë kazanë mbeturinash, të cilëve u kanë vënë flakën. Megjithatë, kjo nuk i ka ndalur forcat speciale, të cilat vijojnë të ndjekin grupin. Në mbështetje të efektivëve ndodhet edhe një automjet që hedh ujë me presion, ndërsa nga ana tjetër protestuesit kanë qelluar me fishekzjarre në drejtim të policisë. Dhjetëra efektivë po ndjekin lëvizjet e protestuesve, pas përplasjes së fortë që ndodhi më herët pranë Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, protestuesit janë ndarë në të paktën dy grupe, të cilat po lëvizin në drejtime të ndryshme të Tiranës. Ende nuk dihet nëse grupet do të arrijnë të bashkohen sërish dhe të rikthehen në bulevardin “Deshmoret e Kombit”, ku u zhvillua edhe protesta.