Qeveria shpërblen 2,750 policë me 740 milionë lekë nga fondi rezervë
Këshilli i Ministrave miratoi një shpërblim prej 269,120 lekësh për secilin nga 2,750 punonjësit e Policisë shtetërore, duke i shtuar buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme 740,080,000 lekë.

Ndërsa protestuesit e dhunuar presin ende hetim, Këshilli i Ministrave miratoi të hënën një shpërblim prej 269,120 lekësh për secilin nga 2,750 punonjësit e Policisë shtetërore. Vendimi i miratuar më 19 tetor e justifikon shpërblimin me “angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike”. Për ta paguar, qeveria i shton buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme 740,080,000 lekë, rreth 6.9 milionë euro, në shpenzimet korrente të programit “Policia e Shtetit”. Paratë merren nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2026, një fond që zakonisht përdoret për emergjenca dhe shpenzime të paparashikuara. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.