Çollaku: Rama me shpërblimet, zbuloi kush janë policët që rrahën 14-vjeçarët
Ish-deputeti dhe këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Kreshnik Çollaku, ka shprehur se vendimi i qeverisë për shpërblimet për policët që rrahën 14-vjeçarët në Tiranë është një "shërbim i mirë" që zbulon identitetin e efektivëve që kanë ushtruar dhunë.

Ish-deputeti dhe këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Kreshnik Çollaku, në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, ka folur lidhur me shpërblimin e qeverisë për policët e cilët prej ditësh po përballen me protestat e studentëve. Çollaku e ka cilësuar vendimin si një “shërbim të mirë” që zbardh identitetin e efektivëve që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj të miturve. Ai u shpreh se personat që kanë goditur 14-vjeçarë në rrugët e Tiranës nuk janë të denjë të mbajnë uniformën e shtetit. “Dhe ka bërë një shërbim aq të mirë Edi Rama me këtë punë. Po aq të mirë o Erla, sepse stresi më i madh dhe i protestuesve, po dhe ne të tjerëve që politikë ishin, kush janë këta që godasin. Po sepse në konceptin tim, çdo qeveri që do të vijë në zyrë pas kësaj të Edi Ramës, këta njerëz që godasin 14-vjeçarë do t’i nxjerrë nga policia e shtetit. Këta nuk janë të denjë të mbajnë robën e policisë shtetit. Problemi ishte t’i njohim cilët janë, se janë në maska. Dhe këtë fat fatmirësisht e ka bërë sot vendimi i Edi Ramës. Këta të gjithë do të jenë në borderon e Ministrisë së Brendshme. Kush ka marrë 2500€ për të rrahur fëmijët e Tiranës 14-vjeçar, ditën e parë që një qeveri do të vijë ndonjëherë në zyrë, këta do dalin nga policia e shtetit, sepse këta janë vrasës, nuk janë policë shteti. Të ndjekësh polici ka detyrë të mbrojë institucionin, objektet, jetën e njerëzve. Jo të ndjekë e të rrahë 14-vjeçarët rrugëve të Tiranës, i kanë masakruar. Këta janë banditë, nuk janë policë. Këta nuk janë të denjë për polici”, tha ai.