Rama përsërit thirrjen për dialog, nxjerr karriget para Kryeministrisë
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin për dialog, duke nxjerrë karrige para Kryeministrisë me pankartet "Dialog".

Pas një jave protestash të shoqëruara me tensione, përplasje me forcat e policisë dhe sulme ndaj institucioneve, kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin e tij për dialog. Në shenjë simbolike, përpara godinës së Kryeministrisë janë vendosur karrige të shoqëruara me pankartat ku shkruhet “Dialog”. Kreu i qeverisë e ripërsëriti edhe një ditë më parë gatishmërinë për të zhvilluar bisedime, duke nënvizuar se dialogu nuk mund të zhvillohet me persona që përdorin dhunën. Rama ka deklaruar se mbetet i hapur për të dëgjuar dhe shqyrtuar kërkesat e qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore, ndërsa ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj individëve që përfshihen në akte të dhunshme.