Arrestohet 44-vjeçari që transportonte shtetas afrikanë drejt Malit të Zi
Një 44-vjeçar është arrestuar në Shkodër për transportimin e tre shtetasve afrikanë drejt Malit të Zi, pa dokumente identifikimi.

Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Shkodër, pasi u kap duke transportuar me automjet tre shtetas me origjinë afrikane, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. Arrestimi u krye pranë Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Destinationi”. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi edhe automjetin e përdorur për transportin. Sipas bluve të Shkodrës, tre shtetasit e huaj nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinationi”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. U., 44 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, në rrugën nacionale pranë PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjetin e tij, 3 shtetas me origjinë afrikane, që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. 3 shtetasit e huaj nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.