Portugalia “përkëdhel” CR7: Dënimet për sulmuesin, polemika në media dhe rrjet
Federata Portugeze e Futbollit zbuloi zyrtarisht sanksionet për Cristiano Ronaldon, pas largimit të tij nga grumbullimi i kombëtares luzitane për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Më shumë se penalizime duken si një përkëdhelje. Federata Portugeze e Futbollit zbuloi zyrtarisht sanksionet, që mori pak javë më parë ndaj Cristiano Ronaldos. CR7 u largua nga grumbullimi i kombëtares luzitane për ndeshjet e Ligës së Kombeve, pas përplasjes me trajnerin Jorge Jesus. Sipas rregullores së brendshme të federatës portugeze, çdo lojtar që largohet pa leje përballet me penalizime. Deri këtu, gjithçka duket në rregull, por pasi sanksionet u bënë publike, duket qartë se bëhet fjalë, më shumë se një ndëshkim, për një “tallje” siç e kanë cilësuar mediat në Portugali dhe tifozët në rrjetet sociale. Cristiano Ronaldo është pezulluar për 30 ditë si dhe është gjobitur me 255 euro. Ky dënim, sidomos ai financiar duket I pakuptimtë. Sipas për përllogaritjeve të gazetës më të madhe sportive portugeze, “A Bola”, duke marrë parasysh fitimet e mëdha vetëm nga kontrata e tij fitimprurëse te Al Nassr, lojtarit do t’i mjaftonin vetëm 36 sekonda nga jeta e tij për të mbuluar këtë shumë. Duke qëndruar në këto llogari, kjo gjobë përbën 0,00012% të pagës së tij aktuale vjetore. Me pak fjalë, kjo u duk më shumë si një “përkëdhelje” sesa si një gjobë e vërtetë. Sa I përket pezullimit kohor, ai duket i llogaritur më së miri për të rikthyer në kohë Cristiano Ronaldo me Portugalinë për sfidat e nëntorit në Ligën e Kombeve.