Zhupa: Rama kërcënonte miturinë, ndërsa kërkon heqjen e burgut për korrupsionin
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar kundër kryeministrit Edi Rama për qëndrime të dyfishta lidhur me trajtimin e protestuesve dhe përgjegjësinë penale për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nga protesta e studentëve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për qëndrime të dyfishta lidhur me trajtimin e protestuesve dhe përgjegjësinë penale për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Në një deklaratë gjatë protestës, Zhupa u shpreh se të rinjtë nuk po tërhiqen përballë paralajmërimeve të kryeministrit, ndërsa e akuzoi këtë të fundit se po përdor kërcënimin me burg ndaj të miturve që protestojnë.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit lidhur me propozimet për ndryshimet ligjore që prekin dënimet për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Në fund të reagimit, Zhupa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
“Kush sakrifikon lirinë për pak siguri, i humbet të dyja dhe nuk e meriton asnjërën. Ky është thelbi i protestës së studentëve, të cilët nuk tërhiqen nga kërcënimet e Edi Ramës për sigurinë e tyre, për lëvizjen e tyre apo për burgun që i tregoi sot të gjithë të miturve,” tha Zhupa.
Ajo shtoi se “i njëjti kryeministër që para 10 ditësh tha të heqin burgun për ata që vjedhin, për ata që shpërdorojnë detyrën, për ata që bëjnë korrupsion. Sot kërcënonte fëmijët e shqiptarëve pse protestojnë.”
Zhupa përfundoi me një thirrje për kryeministrin: “Më të shumtë të jemi në shesh, më të shumtë do të jemi. Rama, jep dorëheqjen! Fundi yt është shumë i shpejtë.”