Banorët e Vuklit dhe organizatat mjedisore padisin ndërtimin e HEC-eve në lumin Cem
Banorët e Vuklit dhe organizatat mjedisore kanë drejtuar Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë për ndalimin e ndërtimit të katër hidrocentraleve në lumin Cem, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare.

Pesë banorë të Vuklit dhe dy organizata mjedisore, Qendra LUMI dhe shoqata “Well-Point”, kanë depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë për ndalimin e ndërtimit të katër hidrocentraleve në lumin Cem, degë e Cemit, brenda dhe në kufi të Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë. Ata kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në përfundimin e procesit gjyqësor dhe konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare, akteve mjedisore dhe lejeve për përdorimin e ujit. Banorët dhe organizatat mjedisore kundërshtojnë projektin “Ura e Tamarës”, të dhënë me koncesion në vitin 2019, i cili parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve: Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara, me një kapacitet të instaluar prej rreth 15 megavatësh. Padia përfshin gjithashtu autorizimin dhe lejen për përdorimin e ujit për HEC-in e Vuklit, të dhënë përkatësisht në vitet 2010 dhe 2013, me afate deri në vitet 2040 dhe 2043. Në proces janë përfshirë si palë të paditura Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Bashkia Malësi e Madhe. Ndërsa kompanitë “Tamara Hydro Energy” dhe “WTS Energji” janë thirrur si persona të tretë. Në lumë, punimet kanë nisur për të venë në punë HEC-in e Vuklit, mirëpo nuk ka asnjë tabelë informuese. Lumi i Vuklit buron brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe bashkohet me lumin e Selcës për të formuar rrjedhën kryesore të Cemit, i cili vazhdon drejt Malit të Zi dhe është pjesë e sistemit ujor që lidhet me pellgun e Liqenit të Shkodrës. Sipas organizatave mjedisore, ndërsa disa segmente të Cemit janë prekur tashmë nga digat ekzistuese, dega e Vuklit mbetet një nga rrjedhat e fundit të paprekura në pjesën e sipërme të pellgut. Ndërtimi i katër hidrocentraleve në të njëjtin lum, brenda dhe pranë kufijve të parkut kombëtar, sipas tyre, rrezikon ekosistemet alpine dhe habitatet e troftës së mermertë, një specie e rrezikuar. Pasojat e mundshme, sipas organizatave nuk kufizohen vetëm te biodiversiteti. Banorët e Kelmendit mbështeten te uji i lumit për nevojat shtëpiake dhe vaditjen e tokave bujqësore, ndërsa ndërhyrjet në shtratin e tij mund të shtojnë rreziqet për tokat dhe banesat përgjatë brigjeve. “Po i drejtohemi gjykatës sepse në rrezik janë shtëpitë tona, tokat tona bujqësore dhe uji ynë i pastër”, tha Niko Gjelaj, një nga banorët paditës nga Vukli. Ai e përshkroi lumin si “damarin e jetës së luginës” dhe pjesë të trashëgimisë natyrore të komunitetit. “Kjo padi është një hap kritik në mbrojtjen e rrjedhës së sipërme të pellgut të Cemit”, tha Besjana Guri, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës LUMI, e cila kërkoi nga gjykata marrjen e masës së përkohshme për ndalimin e punimeve. Më 9 tetor 2026 banorët e Vuklit u mblodhën në protestë me thirrjen “S’duam HEC-e, duam ujë!”. Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, i shpallur në vitin 2022 dhe me një sipërfaqe prej më shumë se 82 mijë hektarësh, përfshin ndër ekosistemet e rëndësishme malore të vendit edhe zonën e Kelmendit. Projektet hidroenergjetike në lumenjtë e zonës kanë nxitur kundërshtime nga banorët dhe organizatat mjedisore, të cilat paralajmërojnë për ndikimet në habitatet natyrore dhe në ekoturizëm.