33 të arrestuar dhe 41 të proceduar pas protestës në Tiranë, mes tyre 6 të mitur
33 persona janë arrestuar dhe 41 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar në Tiranë.

Policia ka njoftuar se 33 persona janë arrestuar dhe 41 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar në Tiranë. Mes tyre janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç. Të arrestuarit dyshohet se kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta efektivët dhe automjetet e uniformave blu. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar kosha mbeturinash dhe tabela të sinjalistikës rrugore, duke përdorur sende të forta dhe zjarr. Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se gjatë shtatë ditëve të protestave në Tiranë janë arrestuar gjithsej 271 persona. Nga këta, 51 rezultojnë me precedentë penalë në fusha të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, prostitucionin, vjedhjen, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve. Policia vijon të dokumentojë rastet e konstatuara gjatë protestave, ndërsa për personat e arrestuar dhe të proceduar penalisht do të ndiqen procedurat përkatëse ligjore.