Dugin fton shqiptarët të bashkohen me serbët kundër BE-së
Aleksandër Dugin, një ideolog rus ultranacionalist, ka thirrur shqiptarët të bashkohen me serbët kundër Bashkimit Evropian, duke iu kundërvënë rrugës evropiane që Shqipëria ka zgjedhur.

Në një moment kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, kur vendi synon integrimin në BE, por kur në rrugët e Tiranës është shfaqur një dhunë e paprecedentë, nga Aleksandër Dugin, një prej ideologëve më të njohur ultranacionalistë rusë, i njohur ndryshe dhe si truri i Putinit, vjen një tjetër thirrje për luftë. Kësaj radhe kundër ëndrrës shekullore të shqiptarëve.
Dugin u bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen me serbët kundër Bashkimit Evropian. “Serbët dhe shqiptarët duhet të luftojnë së bashku kundër globalistëve të BE-së”, tha Dugin.
Një mesazh që vjen në një kohë kur Shqipëria ka përcaktuar integrimin evropian si objektiv strategjik dhe po vijon procesin e anëtarësimit në BE. Ndërsa Tirana zyrtare kërkon të afrohet me institucionet evropiane, ideologu rus fton shqiptarët të bashkohen me dhunuesit e tyre prej shekujsh: me serbët.
Deklarata e Dugin vendos përballë dy orientime të kundërta politike: rrugën evropiane që ka zgjedhur Shqipëria dhe projektin euroaziatik që promovon Moska. Ftesa e Dugin është e qartë: një kaos i ngjashëm me atë të 16 viteve më parë, që përfshiu botën arabe.
“Rënia e madhe evropiane dhe Pranvera arabe është vjeshta evropiane. Rënia e Perëndimit”, u shpreh ai.
Në një tjetër postim, ai është munduar të hedhë benzinë mbi një tjetër virtyt tonin: aspektin plurifetar të shoqërisë sonë.
Përfshirja e ideologut rus për zhvillimet në Shqipëri ka marrë vëmendjen edhe të kryeministrit Edi Rama. Pak ditë më parë, kreu i qeverisë e lidhi këtë interesim me shqetësimet për përpjekjet e mundshme të Rusisë për të ndikuar në politikën e brendshme shqiptare.
“Nuk është aspak rastësi që ‘babai’ ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin, del dhe përshëndet kombin shqiptar”, tha kryeministri Rama.
Alexander Dugin është një ideolog ultranacionalist rus, i njohur për teorinë e tij euroaziatike dhe për qëndrimet e forta kundër Perëndimit.
Ai është përshkruar shpesh si “truri i Putinit” ose “Rasputini i Putinit”, me një ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen e Presidentit rus. Por aktivizimi i tij i fortë në këto ditë të vështira për Shqipërinë tregon sesa hapësirë u ka krijuar keqdashësve të vendit dhuna e krijuar në Tiranë.