ODIHR shpreh shqetësim për dhunën gjatë protestave në Shqipëri
Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shprehur shqetësimin për raportimet mbi dhunën gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri.

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shprehur shqetësimin për raportimet mbi dhunën gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri, në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej tetë ditësh. Përmes një reagimi publik, ODIHR u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë paqen, duke theksuar se forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve. Institucioni i OSBE-së nënvizon gjithashtu se çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet menjëherë dhe në mënyrë të pavarur. Reagimi vjen në një klimë të tensionuar, teksa protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit vijojnë në Tiranë, me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Situata ka ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të tubimeve dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. ODIHR kërkon që ruajtja e rendit publik të shoqërohet me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, ndërsa përgjegjësia për çdo përdorim të paligjshëm të forcës të trajtohet përmes hetimeve të pavarura.