Prishtina triumfon në udhëtim ndaj Ballkanit, Dukagjini dhe Drenica barazojnë
Prishtina triumfoi në udhëtim ndaj Ballkanit me rezultat 1:0, ndërsa Dukagjini dhe Drenica barazuan 1:1 në një ndeshje interesante në Klinë.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini dhe Drenica luajtën baras 1:1 në ndeshjen e zhvilluar nën dritën e reflektorëve. Skuadra vendase e nisi mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë me golin e Elton Basrit. Megjithatë, rrjedha e takimit ndryshoi në minutën e 15-të, kur Kushtrim Gashi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke e lënë Dukagjinin me një lojtar më pak. Drenica shfrytëzoi epërsinë numerike dhe arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 20-të, kur Agim Zeka realizoi për 1:1. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe ekipet u deshën të kënaqeshin me nga një pikë.
Ndërkaq, më herët Prishtina shënoi fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0 në Suharekë. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi talenti Rin Ahmeti në minutën e 52-të. Pas rishikimit të situatës në VAR, goli u konfirmua, duke i dhënë epërsinë skuadrës nga kryeqyteti. Prishtina mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 75-të, kur mbrojtësi Diar Halili u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Ballkani tentoi deri në fund të gjente golin e barazimit, por Prishtina arriti ta ruante epërsinë dhe t’i arkëtonte tri pikë të rëndësishme. Me këtë fitore, Prishtina vazhdon serinë pozitive dhe mbetet skuadra e vetme në Superligë pa humbje.