Begaj nis lëvizjet pas protestave, pret ambasadorët e SHBA, BE dhe Gjermanisë; të pranishëm Mejdanin me Topin
Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me përfshirësit diplomatikë të SHBA, BE dhe Gjermanisë, si dhe me ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, pas protestave të nisura nga studentët kundër qeverisë Rama.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, ndërsa në takim marrin pjesë edhe dy ish-presidentët e Republikës, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi. Në takim janë pritur ambasadori i SHBA-së, Eric Wendt, ambasadorja e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa, dhe ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner. Takimi zhvillohet në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në Tiranë, ku protestat e nisura nga studentët janë shoqëruar gjatë ditëve të fundit me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Përfaqësuesit diplomatikë dhe dy ish-krerët e shtetit përbenin një zhvillim të rëndësishëm në kontekstin e situatës politike. Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e diskutimeve apo nëse takimi do të pasohet nga një nismë konkrete. Megjithatë, zhvillimi merr rëndësi të veçantë në dritën e qëndrimit që Presidenti Begaj mbajti disa ditë më parë, kur shprehu gatishmërinë për të kontribuar në krijimin e një hapësirë dialogu mes palëve. Pas tri ditësh protestash, kreu i shtetit reagoi publikisht për situatën, duke theksuar se kërkesat e qytetarëve, veçanërisht ato të të rinjve, meritojnë vëmendjen e institucioneve. “Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve. Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari meriton të degjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi Begaj në mesazhin e tij. Presidenti dënoi gjithashtu aktet e dhunës, duke kërkuar që palët t’i tregojnë përgjegjshmëri dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. “Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhja. Ajo demton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, theksoi ai. Në të njëjtin reagim, Begaj shprehu mbështetje për punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, si nga radhët e efektivëve, ashtu edhe nga protestuesit.