Unioni Turistik: Shqetësimet e studentëve janë edhe tonat, qeveria të hapë dialogun me të rinjtë
Unioni Turistik Shqiptar ka bërë thirrje për hapjen e dialogut me studentët dhe të rinjtë që protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes sociale, sigurisë dhe vazhdimësisë së zhvillimit ekonomik.

Unioni Turistik Shqiptar ka bërë thirrje për hapjen e dialogut me studentët dhe të rinjtë që protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes sociale, sigurisë dhe vazhdimësisë së zhvillimit ekonomik.
Në një deklaratë publike, Unioni shpreh shqetësimin për tensionet e ditëve të fundit dhe përplasjet që kanë shoqëruar protestat, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një nga vlerat themelore të një shoqërie demokratike.
Organizata ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të ruajnë karakterin paqësor të protestave dhe të shmangin veprimet që cenojnë sigurinë e qytetarëve apo demtojnë bizneset private. Sipas Unionit, një pjesë e madhe e këtyre bizneseve mbështet shqetësimet e të rinjve.
"Shqetësimet e studentëve janë dhe shqetësimet tona", thuhet në deklaratë, ku theksohet se industria e turizmit ka nevojë për të rinjtë kualifikuar, të cilët të mund të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, në vend që të detyrohen të emigrojnë.
Unioni vë në dukje se sektori i turizmit siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje dhe se investimet në këtë industri janë rezultat i angazhimit të sipërmarrësve dhe familjeve shqiptare. Në këtë kontekst, organizata thekson se mbrojtja e investimeve është një interes i përbashkët, përtej përkatesive politike.
"Duhet që bashkërisht të mbrojmë investimet, sepse këto nuk janë pronë e një qeverie apo force politike", thuhet në deklaratë.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Unioni lidhet me ndikimin që zhvillimet e fundit mund të kenë në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e industrisë turistike me operatorët e huaj. Sipas organizatës, pamjet e dhunës dhe të pasigurisë që transmetohen në mediat ndërkombëtare rrezikojnë të ndikojnë në besimin e turistëve dhe të partnerëve të huaj, të cilët e kanë vlerësuar vendin për mikpritjen dhe sigurinë.
Deklarata përmban gjithashtu një thirrje drejtuar institucioneve për të shmangur retorikën nxitëse dhe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje të negociuar, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Unioni Turistik Shqiptar deklaroi se do të ndëshkojë çdo përdorim të pajustifikuar ose jo-proporcional të forcave nga strukturat policore ndaj protestuesve, duke theksuar se garantimi i rendit publik nuk duhet të cenojë integritetin fizik, dinjitetin dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Në përfundim, organizata u bën thirrje të gjitha palëve për përgjegjësi dhe vetëpërbajtje. Ajo vlerëson se qeveria duhet të hapë rrugën për dialog, ndërsa studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të negociuar me institucionet.
"Zëri i të rinjve duhet të degjohet me seriozitet dhe respekt nga institucionet shtetërore", thekson Unioni, duke e lidhur dialogun me nevojën për të garantuar paqen sociale, sigurinë dhe vijimësinë e zhvillimit ekonomik të vendit.