Shoqata e Gjyqtarëve: Protestet kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë
Shoqata e Gjyqtarëve ka deklaruar se protestet kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, duke përmendur sulmet ndaj Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka deklaruar se dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë. Sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, përbëjnë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, por cenojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë. Çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave përkthehet në pasoja konkrete për qytetarët, të cilëve u vonohet ose u vështirësohet marrja e drejtësisë.
Liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit është një vlerë themelore e demokracisë, por ushtrimi i saj nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe cenimin e sigurisë së njerëzve që ushtrojnë detyrën në to. Cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
Shoqata e Gjyqtarëve ka thirrur gjitha institucioneve shtetërore dhe faktorët me përgjegjësi politike e publike të tregojnë vetëpërmbajtje, përgjegjshmëri dhe respekt për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ajo ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe të personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, mbi të gjitha si detyrim në shërbim të qytetarëve.