Protesta dhe ligji: çfarë parashikon ligji shqiptar për pjesëmarrjen në protesta me identitet të fshehur?
Protesta është një e drejtë kushtetuese, por ushtrimi i kësaj të drejte ka kufij të përcaktuar nga ligji. Ligji nr. 8773, datë 23.4.2001, «Për tubimet», në nenin 19, ndalon pjesëmarrjen në tubim me veshje të tilla ose përdorimi i sendeve të tjera me qëllim fshehjen e identitetit të personit.

Gjatë protestave të fundit në Tiranë, u evidentuan grupe pjesëmarrësish me fytyra të mbuluara. Sipas raportimeve të Policisë së Shtetit për protestën e 14 tetorit, por edhe në ditët në vazhdim, persona të maskuar u përfshinë në hedhjen e gurëve, sendeve të forta dhe koktejeve molotov, si dhe në dëmtimin e pronës. Këto episode ngrenë një çështje të drejtpërdrejtë ligjore.
Natyrisht, jo çdo mbulim i fytyrës përbën automatikisht vepër penale. Mund të ekzistojnë arsye shëndetësore, atmosferike apo mbrojtjeje nga gazi lotsjellës. Elementi përcaktues i nenit 19 është qëllimi për të fshehur identitetin. Por kur persona marrin pjesë në mënyrë të organizuar me fytyra të fshehura, përfshihen në përplasje dhe më pas largohen duke vështirësuar identifikimin, ekzistojnë arsye serioze për të hetuar shkeljen e kësaj dispozite.
Nëse ligji e ndalon shprehimisht këtë sjellje, Policia e Shtetit duhet të sqarojë pse nuk e ka zbatuar deri tani dispozitën gjatë protestave. A janë identifikuar pjesëmarrësit e maskuar? A është dokumentuar qëllimi i fshehjes së identitetit? A është përdorur neni 24 në procedimet penale të nisura? Këto pyetje nuk kërkojnë ashpërsim arbitrar të ndërhyrjes policore, por zbatim të njëtrajtshëm të ligjit.
Edhe organizatorët politikë kanë përgjegjësinë të distancohen nga dhuna dhe të mos inkurajojnë praktika të paligjshme. Teksa ankohen për shkeljet ligjore të shtetit dhe policisë, ata duhet të pranojnë se protestat ku edhe ata janë protagonistë, janë të gjitha në shkelje ligjore së paku sa i takon mbulimit të fytyrës.
Neni 47 i Kushtetutës garanton lirinë e tubimeve paqësore dhe pa armë. Policia duhet të dallojë protestuesit paqësorë nga autorët e shkeljeve dhe të veprojë në mënyrë proporcionale. Debati për protestat e fundit nuk duhet të reduktohet te pyetja se kush i organizoi ato apo kundër kujt drejtoheshin. Neni 19 i ligjit «Për tubimet» nuk bën dallim midis protestuesve të majtë, të djathtë apo mbështetësve të një force të caktuar politike.