Protestuesit marshojnë drejt Zogut të Zi, djegin kosha dhe paralizojnë qarkullimin
Protestuesit marshojnë drejt Zogut të Zi, ndërsa qarkullimi i automjeteve në Tiranë është paralizuar.

Protestuesit vijojnë marshimin drejt zonës së Zogut të Zi në Tiranë, ndërsa në ditën e tetë të revoltës qytetare tensionet mbeten të larta dhe qarkullimi i automjeteve në Unazën është bllokuar. Me thirrje dhe brohorima, pjesëmarrësit po vijojnë lëvizjen nëpër kryeqytet, pavarësisht përplasjeve të mëparshme me forcat e rendit. Gjatë marshimit, disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa në segmente të ndryshme rrugore kanë vendosur kosha dhe blloqe për të penguar kalimin e automjeteve. Si pasojë, qarkullimi është paralizuar në rrugët ku po zhvillohet protesta. Më herët, protestuesit ishin shpërndarë në disa grupe, duke u zhvendosur përgjatë bulevardit, në sheshin “Skënderbej” dhe në zona të tjera të Tiranës. Përplasjet me policinë u regjistruan pas marshimit nga Kryeministria drejt Ministrisë së Jashtme, kur disa protestues shkulën kangjellat anës rrugëve dhe hodhën gurë në drejtim të efektivëve. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotshelles dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës. Ndërkohë, automjetet e policisë kanë vijuar të ndjekin lëvizjet e protestuesve në rrugët e kryeqytetit. Aktualisht, një pjesë e tyre po marshojnë drejt Zogut të Zi, duke vijuar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon në ditën e saj të tetë.