"Bojkoti nuk është braktisje e auditorit" - Kryesia e Sindikatës së Universiteteve shpall bojkotin
Kryesia e Sindikatës së Universiteteve ka shpallur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, në solidaritet me studentët dhe nxënësit, si dhe në mbrojtje të drejtës së tyre për protesta paqësore.

Kryesia e Sindikatës së Universiteteve, në mbledhjen e zhvilluar sot në sheshin e protestave të studentëve dhe nxënësve shqiptarë, vendosi njëzëri shpalljen e bojkotit të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Republikës së Shqipërisë, në solidaritet me studentët dhe nxënësit, si dhe në mbrojtje të drejtës së tyre për protesta paqësore. Bojkoti fillon nesër, datë 21.10.2026 dhe vijon deri në një njoftim të dytë.
Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jetë e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë.
Pedagogët ndajnë të njëjat opinion me studentët në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj. Kërkesat e Sindikatës së Universiteteve kërkon: ndalim të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë; hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënie para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt; trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar; plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve. U bëjmë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë që ta respektojnë këtë vendim dhe të mos ndërmarin asnjë masë disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës. Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejtë dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë. Së fundmi, rikujtojmë kolegët se nuk bëhet fjalë thjesht për bojkot auditorësh, por për pjesëmarrje aktive në protestë. Çdo ditë në ora 10.00 do të mblidhemi para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe do të vijojmë mbështetjen e studentëve. Gjithashtu, pedagogët të rrinë afër në komunikim me studentët, për materiale didaktike, apo çdo ndihmë tjetër për të cilën kanë nevojë, si dhe t’i njoftojnë se orët e mësimdhënies do të kompensohen në vijim. Ne duhet të jemi zëri dhe mbështetja e tyre kryesore në këto ditë të vështira. Për këtë vendim do të njoftohen dhe të gjitha Autoritetet Drejtuese të IAL-ve publike.