Pedagogët në protestë: Nuk është më koha për dialog, qeveria nuk na dëgjoi
Pedagogët kanë nisur një protestë në Tiranë për të kundërshtuar reformën në arsimin e lartë, duke deklaruar se nuk janë dëgjuar dhe nuk është më koha për dialog me qeverinë.

Pedagogët kanë nisur një marshim nga universiteti i Politeknikut drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër reformës në arsimin e lartë. Një pedagoge që i është bashkuar protestës së studentëve në Tiranë ka refuzuar thirrjet e qeverisë për dialog, duke deklaruar se pedagogët dhe studentët kanë kërkuar prej vitesh të dëgjohen, por kërkesat e tyre janë shpërfillur.
Gjatë fjalës së saj për News24, pedagogia Marinela Sota theksoi se stafi akademik ka qenë gjithmonë në mbështetje të studentëve dhe nuk ka pasur frikë të kundërshtojë vendimet e qeverisë për arsimin e lartë. Ajo kujtoi se pedagogët kanë kundërshtuar edhe ligjin për arsimin e lartë, por pavarësisht qëndrimit të tyre, ai u miratua pa u marrë parasysh shqetësimet që kishin ngritur.
“Ne kemi qenë gjithmonë krah studentëve. Pedagogët nuk kanë pasur frikë të ishin krah tyre. Kemi qenë edhe kundër ligjit për arsimin e lartë, por askush nuk na dëgjoi dhe ligji u miratua”, u shpreh ajo.
Pedagogia deklaroi se pasojat e reformës në arsimin e lartë po ndihen edhe sot, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk ka treguar vullnet për një dialog të vërtetë me komunitetin akademik.
“Nuk ka më vlerë të diskutojmë për dialog. E kemi kërkuar dialogun dhe nuk u dëgjuam. Nuk ka pasur nga qeveria dëshirë për dialog. Sot po vuajmë pasojat e reformës në arsimin e lartë. Nuk është më koha për dialog”, theksoi pedagogia.
Ndërkohë pedagogët kanë njoftuar bojkot nga dita e sotme e deri në një njoftim të dytë.