Zelensky: SHBA po ndan sërish informacione të inteligjencës me Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se SHBA po ndan sërish informacione të inteligjencës me Ukrainën, duke theksuar rëndësinë e këtyre të dhënave për paralajmërimin në kohë të sulmeve me raketa balistike.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, ka mbërritur në Rusi për të takuar presidentin Vladimir Putin dhe për të diskutuar mundësitë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Takimi vjen pas bisedimeve të zhvilluara në Oslo mes përfaqësuesve amerikanë, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve evropianë.
Pas takimit me Witkoff, Zelensky deklaroi se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës me SHBA-në po funksionon sërish, duke theksuar rëndësinë e këtyre të dhënave për paralajmërimin në kohë të sulmeve me raketa balistike.
“Jemi mirënjohës ndaj palës amerikane. Tani funksionon dhe kjo është shumë mirë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Deklarata e tij vjen pas akuzave të Kievit se Uashingtoni kishte ndërprerë së fundmi ndarjen e informacioneve të inteligjencës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve ukrainas. Autoritetet amerikane i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
Bisedimet në Oslo u vlerësuan si konstruktive nga pala amerikane. Sipas një zyrtari të SHBA-së, mes Uashingtonit, Kievit dhe vendeve evropiane ka një përputhje të fortë qendrimesh për hapat e ardhshëm drejt përfundimit të konfliktit.
Tani vëmendja është përqendruar te takimi mes Witkoff dhe Putinit, ku pritet të diskutohen propozimet e bëra gjatë bisedimeve në Norvegji. Megjithatë, Moska nuk ka dhënë ende një përgjigje të qartë për këto nisma. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Kremlini do t’i dëgjojë propozimet amerikane, por përjashtoi mundësinë e lëshimeve politike.
Zelensky bëri të ditur se gjatë bisedimeve u diskutuan edhe garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe mundësia e një armëpushimi që do të përfshinte infrastrukturën energjetike. Ai përsëriti se Kievi është i gatshëm të negociojë për t’i dhënë fund luftës.
“Ne nuk po e humbasim këtë luftë, por po humbasim njerëz, sepse Rusia po sulmon”, deklaroi ai.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar edhe këtë javë. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 10 persona u vranë të martën nga sulmet me dronë, katër në Kiev dhe zonën përreth, katër në rajonin e Donjeckut dhe dy në qytetin e Dnipros. Dy persona të tjerë u vranë nga një sulm gjatë natës pranë Harkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
Një tjetër çështje që mbetet e hapur është dërgimi i raketave përgjuese Patriot, të cilat përdoren për të rrëzuar raketat balistike ruse. Raportime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se dërgimi i një sasie tjetër të këtyre raketave ende nuk është miratuar. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pranoi se ato mund të mos kenë mbërritur ende në Ukrainë, por theksoi se SHBA-ja nuk ia ka mohuar qëllimisht ndihmën Kievit.
Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe administratës së presidentit Donald Trump janë përkeqësuar javët e fundit. Trump ka kërkuar që Kievi të arrijë një marrëveshje me Moskën, ndërsa ka deklaruar se ndoshta nevojitet një përfaqësues tjetër për të negociuar në emër të Ukrainës.
Presidenti amerikan ka kërkuar vazhdimisht përfundimin e luftës, duke thënë se edhe Rusia dëshiron që konflikti të marrë fund. Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë kanë këmbëngulur se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo negociate që do të përcaktojë të ardhmen e Ukrainës.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se mesazhet e fundit nga Uashingtoni për luftën janë kontradiktore, ndërsa ka theksuar se zgjidhja duhet të arrihet përmes bashkëpunimit mes aleatëve.
Edhe nënpresidenti amerikan JD Vance ka shprehur rezerva për marrëdhëniet me Kievin, duke deklaruar se SHBA-ja dhe Ukraina nuk kanë një aleancë formale dhe se interesat e tyre nuk përputhen gjithmonë. Ai kundërshtoi gjithashtu sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit të vendit. Takimi mes Witkoff dhe Putinit shihet si një tjetër përpjekje diplomatike për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës, por mbetet për t’u parë nëse bisedimet do të sjellin rezultate konkrete.