Menuja e ditës me shije dhune
Gazetari Lutfi Dervishi ka shkruar një artikull ironik për të denoncuar dhunën policore, duke e përfaqësuar atë si një menu restoranti.

Gazetari Lutfi Dervishi ka zgjedhur një mënyrë ironike për të denoncuar dhunën policore, duke e servirur atë si një menu restoranti. Në “Menuja e ditës”, ironia nis me dialogun e mëngjesit, por shpejt kalon te specialitetet e drekës dhe pasdites: ujë e gaz lotsjellës, shkopinj dhe plumba gome. Për darkë, menuja bëhet edhe më gjithëpërfshirëse, me arrestime në rrugë, në kafene, në oborrin e kishës dhe në prag të xhamisë. Por kulmi i ironisë vjen te specialiteti i shefit: “Dajak tradicional, me teknologji moderne dhe salcë propagande.” Dervishi nuk harron as ofertat promocionale. “Paguan një, ha dy për çdo asortiment”, shkruan ai, duke e çuar ironinë edhe më tej me një shënim të dytë: menuja ofrohet edhe për turistët. Në vend të një menuje që të hap oreksin, gazetari servir një pasqyrë ironike të një realiteti ku dialogu duket vetëm si antipastë, ndërsa dhuna shërbehet si pjata kryesore. Dhe për ata që kërkojnë diçka më të lehtë, lajmi i keq është se në këtë restorant nuk ka zgjedhje të shumta. Propaganda është për të gjithë, ndërsa “dajaku tradicional” mbetet “specialiteti i shtëpisë”.