Protestat në Tiranë: 90 biznese të dëmtuara dhe dëme të rreth 18 milionë lekë
Protestat në Tiranë kanë shkaktuar dëme të rënda për rreth 90 biznese, me vlera të dëmeve materiale që arrinë rreth 18 milionë lekë.

Rreth 90 biznese në Tiranë janë dëmtuar nga aktet vandale gjatë protestave të ditëve të fundit. Sipas bilancit paraprak të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlera e dëmeve materiale të raportuara arrin në rreth 18 milionë lekë. Të dhënat janë verifikuar edhe nga ekipet në terren, si dhe nga raportimet e vetë subjekteve të prekura përmes portalit “Dëmi Im”.
Ndërkohë, rreth 10 ekipe të Administratës Tatimore vijojnë punën për evidentimin dhe verifikimin e dëmeve të shkaktuara. Procesi synon të përcaktojë përmasat e dëmeve dhe të krijojë një pasqyrë më të plotë të bizneseve të prekura.
Qeveria njoftoi pak ditë më parë nismën për raportimin e bizneseve të dëmtuara, përmes portalit “Dëmi Im”, në platformën e-Albania. Bizneset duhet të plotësojnë të dhënat e kërkuara, duke përfshirë natyrën e dëmit dhe vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale.
Qeveria ka njoftuar se do të dëmshpërblejë bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet. Ndërkohë, për bizneset që kanë sigurim, dëmet do të mbulohen sipas kushteve të policave përkatëse nga kompanitë e sigurimit.
Procesi i evidentimit të dëmeve vijon, ndërsa bilanci paraprak pritet të plotësohet me të dhënat e reja që do të dalin nga verifikimet në terren dhe raportimet e bizneseve të prekura.