Rusia nis furnizimin e SHBA-së me naftë, pas takimit Putin-Witkoff
Rusia do të nisë furnizimin e Shteteve të Bashkuara me naftë dizel, pas takimit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff.

Takimi mes Putin dhe Witkoff ka sjellë rezultate, pasi Rusia do të nisë furnizimin e SHBA-së me naftë dizel. Zëvendëskryeministri rus, Aleksandër Novak, ka deklaruar se një anije do të transportojë 40 mijë tonë karburant, ndërsa procedurat administrative për realizimin e furnizimit janë në drejtim të përfundimit.
Heqja e kufizimeve erdhi pas arritjes së një marrëveshjeje me administratën Trump për furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me naftë dizel. Rusia kishte hoqur më 9 tetor ndalimin që kishte vendosur ndaj eksporteve të naftës dizel, pasi kishte marë këtë masë për të përballuar mungesat në tregun vendas, të cilat u shkaktuan nga sulmet e dronëve ukrainas ndaj rafinerive ruse.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia do të eksportojë menjëherë 300 mijë tonë naftë dizel, ekuivalente me rreth 2.25 milionë fuçi. Marrëveshja parashikon gjithashtu eksportimin e 500 mijë tonëve të tjerë në nëntor, ndërsa një sasi e shtesë prej një milion tonësh do të dërgohet menjëherë pas kësaj periudhe.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara eksportojnë rreth 1.5 milionë fuçi naftë dizel në ditë.